06 Feb 2018

Darka e CSR për Rrjetizim

Darka e CSR për Rrjetizim
Rrjeti CSR Kosova organizoi Darkën e CSR për Rrjetizim me qëllim promovimin e parimeve të Përgjegjësisë Shoqërore Korporative dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorëve të ndryshëm. Në këtë ngjarje morën pjesë drejtues të kompanive vendore dhe ndërkombëtare që operojnë në Kosovë, përfaqësues institucionalë, organizata ndërkombëtare dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, iu drejtua pjesëmarrësve në emër të Qeverisë, duke theksuar rëndësinë e avancimit të përgjegjësisë së ndërmarrjeve në raport me shoqërinë. Ai nënvizoi se, përveç krijimit të kapitalit dhe profitit, ndërmarrjet po demonstrojnë gjithnjë e më shumë ndjenjë përgjegjësie ndaj shoqërisë përmes respektimit të të drejtave të punëtorëve, mbrojtjes së mjedisit dhe luftimit të dukurive negative, duke kontribuar kështu në ngritjen e vetëdijes për mënyrën e të bërit biznes.

CSR përfshin të gjitha praktikat dhe veprimet e përgjegjshme të bizneseve brenda funksioneve të tyre themelore. Promovimi i konceptit dhe zbatimi i veprimeve konkrete kërkon koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet sektorit privat, institucioneve dhe shoqërisë civile, si dhe aplikimin e praktikave të mira ndërkombëtare.

Znj. Maria Alexiou, Kryetare e Bordit të CSR Hellas, ndau përvoja nga kompanitë evropiane në fushën e CSR dhe theksoi rëndësinë e kulturës lokale në përcaktimin e sjelljes së kompanive ndaj shoqërisë, duke përmendur konceptin e “Besës” si element pozitiv në traditën shqiptare që mund të udhëheqë praktikat e përgjegjshme të biznesit.

Kryetari i Rrjetit CSR Kosova, z. Visar Kelmendi, përmblodhi aktivitetet e deritashme të Rrjetit dhe theksoi rëndësinë e respektimit të ligjit të punës, luftimit të korrupsionit dhe mbrojtjes së mjedisit. Ai ftoi kompanitë jo anëtare që t’i bashkohen Rrjetit CSR Kosova, duke theksuar se ngritja e vazhdueshme e vetëdijes për rëndësinë e CSR është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Ndaj artikullin: